Projeksionet e Bankës Botërore e shohin me rritje në masën 3.3% rritjen e ekonomisë shqiptare edhe përgjatë vitit 2024. Ajo do të ndikohet kryesisht nga sektori i turizmit, aktiviteti i pasurive të patundshme e eksportet. Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas u shpreh se politikat zhvillimore duhet të shpërndahen edhe në sektorë të tjerë në mënyrë që rritja ekonomike të mos jetë e përkohshme.
“Turizmi është shfaqur si një nxitës kryesor i rritjes ekonomike. Sfidat kryesore të zhvillimit të Shqipërisë janë popullsia në rënie, e cilësia e dobët e forcës së punës. Shqipërisë do t’i duhet të zbatojë një Strategji Afatmesme e të Ardhurave për të forcuar të ardhurat nga tatimet e brendshme. Nga ana tjetër me rëndësi është rritja e automatizimit dhe teknologjisë në eksporte si dhe punësimi me paga më të larta e me produktivitet në rritje.”
Ndonëse institucionet vendase e raportojnë në rënie inflacionin i cili tashmë ka arritur nivelin e 2.3%, ekonomistja e lartë e Bankës Botërore, Natasha Rovo thotë se presionet e brendshme vijojnë të mbeten kërcënim.
“Inflacioni vjetor ra në 3.9 për qind në Dhjetor 2023 nga niveli i lartë rekord prej 8.3 për qind në Tetor 2022, si rezultat i presioneve rënëse nga çmimet më të ulëta të importeve të ushqimeve dhe energjisë. Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë përbëjnë një rrezik, pasi ato mund të ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme, të ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht të kufizojnë hapësirën fiskale.”
Raporti i Bankës Botërore për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor rekomandon për Shqipërinë që në fokus të jetë shënjestrimi me asistencë i shtresave në nevojë.
Tv Klan