Më 27 Janar, do të organizohet mbrëmja gala “Topi i Artë 2024” nga Federata Shqiptare e Futbollit, ceremoni e cila do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e TV Klan.
Do të jetë një mbrëmje e veçantë, ku do të vlerësohen më të mirët e futbollit shqiptar, ndërsa priten edhe shumë surpriza.
Drejtori i Komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra, foli në Klan News, në lidhje me këtë event. Sipas tij, do të ketë shumë risi, ndërsa deklaroi se Ardit Gjebrea, përveçse prezantues, është edhe ai që ka ideuar anën artistike.
“Mbrëmja Gala është përfshirë në kalendarin vjetor të eventeve, si një nga pikat kulmore të kurorëzimit të protagonistëve të futbollit shqiptar. Ka shumë risi. Në vijmë në bashkëpunim me një televizion prestigjioz si TV Klan. Jo vetëm kaq, por këtë herë do të kemi edhe prezencën nga Ardit Gjerbrea, i cili jo vetëm do të prezantojë, por është ai që ka ideuar anën artistike të kësaj mbrëmje. Do të jetë shumë ndryshe nga viti i kaluar”, tha ai.
Kodra u shpreh se do të ketë personalitete të shumtë, nga fusha të ndryshme, nga qeveria, arti, gazetaria dhe jo vetëm. Ndër të tjera, ai tha se do të ketë çmime surprizë, ndryshe nga vitet e tjera, ndërsa shtoi se Ardit Gjebera ka bërë një punë të shkëlqyer.
“Përveç çmimeve, do të ketë edhe surpriza të tjera. Do të ketë një mbyllje artistike. Do i zbulojmë ditën e Hënë në orën 20:00, në ekranin e TV Klan.
Do jenë personalitete të larta, qoftë të qeverisë, por edhe të artit dhe gazetarisë. Do të kemi edhe prezencë të drejtuesve të FIFA-s apo UEFA-s, qoftë edhe virtualisht. Do të jetë diçka ndryshe. Kërkesat për të qenë prezentë në mbrëmjen Gala, kanë qenë të shumta.
Për çmimin “Topi i Artë” për djem, kanë qenë vetë trajnerët dhe kapitenët që kanë zgjedhur. E njëjta edhe për talentin e vitit. Do të kemi edhe çmime surprizë. Ju siguroj që do të jetë një mbrëmje shumë e bukur, jo vetëm sportive. Ardit Gjebrea ka bërë një punë fantastike, për të pasur spektakël në këtë mbrëmje. Ju siguroj që do të mbeteni të kënaqur. Do ketë surpriza, që përfshijnë edhe trajnerin e Kombëtares. Nuk mund të jap më shumë detaje”, deklaroi Kodra.
Mbrëmja gala “Topi i Artë 2024” do të organizohet në Teatrin e Operas dhe Baletit, ndërsa vjen në transmetim ekskluzivisht në TV Klan.
/tvklan.al