Banka Botërore vlerësoi të qëndrueshme ecurinë e ekonomisë shqiptare përgjatë 2024-ës dhe parashikon që ajo të nxitet pozitivisht edhe gjatë 2025.

Sipas raportit të rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor që u prezantua sot, Banka Botërore bën të ditur se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të mbetet e qëndrueshme në 3.3 % në vitin 2024 dhe për vitin 2025, kjo rritje parashikohet të përshpejtohet në 3.4%.

Parashikim ky që bazohet në perfomancën e mirë të disa sektorëve përfshirë turizmin, ndërtimin, apo edhe faktorëve që kanë të bëjnë me rritjen e konsumit dhe investimeve. Banka Botërore vëren se norma e inflacionit është në nivelin më të ulët ndër vendet e rajonit dhe parashikohet të mbetet nën nivelin e objektivit 3 % në periudhë afatmesme.

Gjithsesi, Banka Botërore thekson se parashikimi për ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë do të jetë në varësi të rimëkëmbjes së ekonomisë globale dhe ritmit të zbatimit të reformave strukturore.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet mesatarisht deri në vitin 2025, e nxitur kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimeve, e ndihmuar nga rritja e fuqisë blerëse.

Më konkretisht, Banka Botërore parashikon se rritja ekonomike kolektive e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të arrijë në 3.7% në 2025, një rishikim prej 0.2 pikë përqindje në rritje nga parashikimi i pranverës.

Ndërkohë që rritja për vitin 2024 pritet të arrijë në 3.3%, një rritje prej 0.1 pikë përqindje nga vlerësimet fillestare.

Tv Klan