BE nuk arriti të shpërndajë deri në fund të vitit 2024 pagesat e para nga shuma 6 miliardë Euro, pjesë e paketës së rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Këto para nuk u dukën në llogarite e qeverive ballkanike as në fillim të vitit 2025 dhe nuk është e qartë se kur do të mund të transferohen drejt Tiranës, Beogradit, Shkupit, Prishtinës apo Podgoricës.

Vonesat në këto pagesa, sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, kanë të bëjnë më shumë me vonesat e vendeve përfituese, pra atyre të Ballkanit Perëndimor, në përmbylljen e procedurave të brendshme.

Ka shpresa, sipas Komisionit Europian, se pagesat e para të rregullta pritet të bëhen në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse.

Duket se problemi me disa vende të rajonit është se me BE-në duhet të arrijnë marrëveshje për kredi, pasi një pjesë e mjeteve financiare janë në formë të kredive dhe një pjesë grante pa kthim.

Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave.

Shuma prej 6 miliardë Eurosh mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.

Nga kjo shumë, 2 miliardë Euro janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

Qëllim i kësaj pakete ambicioze financiare të BE-së është që të ndihmohet rritja ekonomike në këtë rajon dhe në këtë mënyrë të përshpejtohet edhe procesi i integrimit të tij evropian.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Shqipëria merr 922 milionë Euro, ndërsa Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë Euro nga kjo paketë. Maqedonia e Veriut do të ketë në dispozicion 750 milionë Euro. Serbisë do t’i jepen gjithsej 1.58 miliardë Euro.

Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë Euro. Bosnja e Hercegovina nga totali i planit do të ketë në dispozicion 1 miliard e 85 milionë Euro.

Klan News