Qeveria së bashku me Bankën e Shqipërisë kanë hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë Eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia. Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj në një intervistë për Klan News tha se, prioritet do t’u jepet investimeve në sera, agroturizëm, peshkimit.

“Janë instrumenta financiarë që mbështesin aksesin në financë për bizneset të cilat kanë nevojë për një nxitje. Do të jenë biznese që lidhen me prodhimin bujqësor, atë që lidhet me prodhimin në sera të frutave dhe perimeve. Atë që janë produkte eksporti në veçanti por jo vetëm. Kemi të gjithë ndërtimet e stabilimenteve të mbarështimit të kafshëve, të gjithë stabilimentet e akokulturës, të gjithë mekanikën bujqësore e cila është një domosdoshmëri sot për të ulur kostot dhe rritur rendimentet. Njëkohësisht agropërpunimi sikurse dhe agroturizmi”, tha Anila Denaj.

Veç garancisë sovrane në bujqësi, Ministrja Denaj foli dhe për fondet e IPARD-it.

“Brenda periudhës së Qershor-Korrik-Gushtit, neve do të kemi mundësi që të japim të gjithë terminologjitë e duhura për të gjithë bizneset. Aktualisht bankat janë ato që bëjnë marrëveshje me bizneset sipas kritereve të tyre të riskut. Këtu nuk hyn shteti, por në qoftë se një biznes ka aktivitetin në një nga fushat që përmendëm, dhe ka nevojë për tu mbështetur me garanci, ne sigurisht do të japim dakordësinë brenda politikave të riskut që ka banka. Jemi ende në një proces të rëndësishëm ku presim shumë shpejt brenda vitit të kemi dhe një hapje për IPARD 3-shin, i cili është një nga programet që do të vijojë të revolucionarizojë gjithë pjesën e mbështetjes së bujqësisë shqiptare me kushtet siç i kërkon Bashkimi Europian”, tha Denaj.

Marrëveshja për kreditim të sektorit të bujqësisë, është fimosur nga banka qendore dhe bankat e nivelit të dytë, ndërkoë që për të përfituar kredia të butë, bizneset duhet të kenë balancë pozitive dhe të mos kenë pasur historik negativ të mëparshëm në kredimarrje.

Klan News