Partia Socialiste ende nuk ka dhënë dritën jeshile për të shtyrë afatin e regjistrimit të emigrantëve ashtu si Partia Demokratike, ka kërkuar. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se nëse arrihet dakordësia, nuk mund të jetë pas datës 9 Mars.

“Data 9 Mars është një datë tek të cilës nuk shkojmë dot, sepse është një datë e përcaktuar nga ligji. Partia Socialiste nuk ka qenë dakord me këtë ide. Sipas tyre, shtyrja 2 apo 3 ditë nuk është se do ndryshonte ndonjë gjë të madhe”, tha Ilirjan Celibashi.    

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka kërkuar qeverisë një fond shtesë prej 9. 3 milionë Euro, për procesin e votimit të emigrantëve.

“Nuk ka asnjë hezitim nga Ministria e Financave, nga qeveria për ta mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, posaçërisht për sa i përket këtij aspekti. Besoj se do të qëndrojmë tek një llogari që merr në konsideratë numrin prej 250 mijë votuesish”, tha Celibashi.   

Deri më tani, janë pranuar 219 mijë kërkesa, ndërsa për të mundësuar votën e tyre do të ftohen vetëm posta që janë ndërkombëtare dhe jo shqiptare.

Klan News