Hansi Flik është zyrtarisht trajneri i ri i Barcelonës. Gjermani ka firmosur një kontratë deri në verën e 2026-ës me klubin blaugrana.
Katalanasit njoftuan akordin pasi ndërprenë bashkëpunimin me ish-teknikun Çavi Hernandez.
59-vjeçari firmosi kontratën në selinë e klubit, së bashku me presidentin Hoan Laporta.
“Kules, ky është momenti ynë! Forca Barça!” ishin fjalët e tij të para si blaugrana. Flik bëhet trajneri i tretë gjerman në historinë e klubit katalans, pas Hënes Vaisveler dhe Udo Latek.
Ai është gjithashtu tekniku i pestë nën presidencën e Hoan Laportës, pas Rajkard, Guardiolës, Kumanit dhe Çavit.
Gjermani kurrë nuk e ka fshehur admirimin e tij për klubin spanjoll dhe kjo vendosmëri ishte vendimtare për arritjen e një kontrate me Barcelonën. Por edhe numri 1 i klubit, Laporta, realizoi një nga aspiratat e tij, të ulte në stol një trajner gjeman.
Që nga ardhja në mars të 2021, ai ka negociuar me trajnerë gjermanë si Nagelsmann, Tuchel, Klopp. E në fund akordin e arriti me Flik.
Klan News