Për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Gazment Bardhi, drejtues politik i PD në Elbasan bën përgjegjës drejtpërdrejtë Taulant Ballën dhe Partinë Socialiste.
Në një deklaratë për mediat nga Elbasani, Bardhi pranoi se autori i kësaj ngjarjeje, ish-efektivi i policisë Arbër Paplekaj, i cili u vetëdorëzua në polici pas ngjarjes, ishte pjesë e strukturave të Partisë Demokratike.
Sipas Bardhit, Paplekaj nuk është vrasës, por pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës të PD në Elbasan. Bardhi tha se Paplekaj është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane.
“Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi im, sic u dezinformua me dashje media. Unë jam prej ditës së parë në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe nga ekipi im, dhe nuk kam nevojë për badigardë. Por po, ai është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. I bëj thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në qarkun Elbasan. Ne e refuzojmë dhunën. Elbasani meriton rend e qetësi, meriton zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Bardhi mes të tjerash./tvklan.al