Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, kreu i saj Gazment Bardhi gjatë një deklarate për mediat u shpreh se aksioni opozitar në këtë sezon të ri parlamentar do të përqendrohet në garantimin e zgjedhjeve të lira.

“Nuk ka zgjidhje pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme,” ka theksuar Bardhi moton e PD në aksion e saj politik dhe parlamentar. Më tej Bardhi ka thënë se grupi parlamentar ka depozituar disa kërkesa për komision  hetimor.

“Aksioni jonë opozitar do të jetë i fokusuar te beteja për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka qenë problem gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes së Edi Ramës, për faktin se kurrë nuk është lejuar zhvillimi i një procesi normal zgjedhor. Ndodh për herë të parë që në 10 vite nuk ka patur asnjë reformë kuptimplotë zgjedhore. Edi Rama ka vendosur që me veprime konkrete të shkallmojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ka bllokuar tashmë prej 11 vitesh çdo ndryshim apo reformë kuptimplotë zgjedhore. Prandaj motoja jonë kryesore e aksionit tonë politik dhe parlamentar është: ‘Nuk ka zgjidhje pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.’ Shëmtinë e zgjedhjeve që e kemi parë gjatë gjithë kohës ku qeveris Edi Rama, ku diktojnë paratë e pista të korrupsionit, apo ku dikton krimi i organizuar Shqipëria do të duhet ta lerë pas duke nisur nga garantimi i zgjedhjeve për vitin 2025. Së dyti kemi diskutuar për paraqitjen e disa kërkesave për komision hetimor në nisje të këtij sesioni, sikundër do të jetë disa kërkesa për interpelancë, një prej të cilës e kemi depozituar atë për mbetjen e rrezikshme me kryeministrin Edi Rama. Asllan Dogjani ka depozituar një kërkesë për interpelancë me ministrin e Brendshëm sa i takon situatës së rendit dhe të sigurisë publike gjatë kësaj periudhe, ku ka patur zhvillime dramatike për të cilat duhet të ketë një raportim në Kuvend,” tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD tha se opozita do të fokusohet në disa çështje me interes publik siç janë pensionet apo edhe vendosja e minimumit jetik. Për sa i përket kërkesave për komision hetimor ai tha se deri tani janë dy kërkesa, një për Teatrin Kombëtar dhe një për abuzimin me pronat publike.

“Kemi përcaktuar edhe tre çështje të interesit të qytetarëve ku duhet fokusuar dhe puna jonë. Që ka të bëjë me vendosjen e minimumit jetik për të ndihmuar shtresat në nevojë, projektligjin për rritjen e pensioneve edhe të gjitha çështjet e tjera që lidhen me projektligje që tashmë qëndrojnë të fjetura në Kuvend. Ka patur një kërkesë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, për një komision hetimor sa i takon çështjes së Teatrit Kombëtar. Sikundër janë duke u mbledhur informacione për abuzimet masive që po bëhen publike, përfshirë edhe pronat që ka fituar familja e kryeministrit të Shqipërisë, Rama në bregdetin e jugut. Grupi parlamentar ka propozuar edhe çështje të tjera, të cilat po vlerësohen nga ekspertët,” përfundoi Bardhi./tvklan.al