“Dëgjo thirrjen e Europës, po sakrifikon integrimin”
“Armiku nunër 1 është Kryeministri i vendit”. Me këtë fjali iu drejtua Edi Ramës nga konferenca me gazetarët Lulzim Basha, duke e ftuar të dëgjojë thirrjen e dytë të mbërritur nga komisioneri Varhelyi në drejtim të maxhorancës, për të pritur Komisionin e Venecias përpara votimit në seancë të ndryshimeve në Kodin Elektoral.
“Armik i popullit shqiptar, Europa thotë mos e kalo se nuk të hap negociatat ndryshe, se nuk të pranoj unë ty në tavolinën e negociatave kur ashiqare do të shkelësh standardet minimale të zgjedhjeve. Shkurt dhe qartë, prej tmerrit që ka nga ndëshkimi dhe humbja e zgjedhjeve po sakrifikon edhe njëherë interesin e shqiptarëve për të ecur në procesin e integrimit”.
Integrimi nuk ishte e vetmja tradhëti që kryedemokrati listoi në adresë të Kryeministrit Rama. Sërish iu rikthye çështjes së inceneratorëve, teksa e akuzoi kreun e qeverisë për një tjetër aferë me paratë e taksapaguesve shqiptarë kur iu referua Rrugës së Arbrit.
“Sot një pagesë 3 milionë Euro nga Thesari për një kontratë me kosto dyfishe për PPP-në në Rrugën e Arbrit. Kam një javë që i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet. Sipas informacioneve që kanë mbërritur, një nga personat kyç për këtë hetim, Stela Gugallja, është vënë nën presion nga mafia e plehrave, ndaj dua t’i përsëris SPAK të ndarmarrë urgjentisht marrjen e veprimeve hetimore, dhe të përdorë mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve kyç para se t’i ikin në drejtim të paditur”.
Krahas mafies së plehrave, Basha foli edhe për mafien e ilaçeve, duke paralajmëruar se Ministria e Shëndetëssië do të jetë shënjestër e parë e anti-korrupsionit pas ardhjes së demokratëve në pushtet.
“Ata hoqën kompanitë perëndimore për t’i hapur rrugë ilaçeve false, ilaçeve me principal aktiv të dyshueshëm dhe i pari dhe kryesori, strumbullari është Tom Doshi. Nuk është i vetëm, ka të paktën dhe një duzinë që vërtiten rreth tij. Nuk ju a di emrat. Por e sigurt është që me planin tonë për shëndetësinë nuk do të ketë më asnjë hapësirë për mafien e ilaçeve. Shqiptarët nuk do të blejnë më ilaçe që nuk janë ilaçe, që i pinë dhe nuk kanë efekt. Ministria e Shëndetësisë do të jetë një nga shënjestrat e para të antikorrupsionit me themel”.
Ndonëse është shprehur i hapur për të bashkëpunuar me këdo forcë politike që është në opozitë me qeverinë, kur pyetet nëse do të bëjë koalicion me partitë apo lëvizjet e reja të krijuara nga ish-figura me peshë në Partinë Demokratike, mes të cilave edhe atë të ish-nënkryetares Jozefina Topalli, rezervon këtë përgjigje: “Nuk ka asnjë parti të dalë nga PD, janë parti të krijuara nga Edi Rama”.
Edhe në këtë dalje përpara medias, kryedemokrati i bëri thirrje qeverisë të marrë masa urgjente për situatën e Covid-19, duke paralajmëruar se vendi rrezikon një mbyllje të dytë, për shkak të rasteve në rritje me infeksion.
Tv Klan