Dy persona janë ekstraduar nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas falë bashkëpunimeve të forcave ligjzbatuese të të dy palëve.
Drejt Shqipërisë është dërguar 53-vjeçari E. Haxhiu. Ai ishte shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
“Ky shtetas akuzohet se ka kultivuar në ambientet përreth banesës së tij 320 bimë narkotike cannabis, të cilat janë konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, më 04.05.2022, dhe janë asgjësuar me anë të djegies”, njoftoi policia ku shtoi se i ekstraduari i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ndërkohë drejt Italisë është nisur 46-vjeçari Valentino Gjeloshi alias Nino Gjeloshi.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi Gjykata e Apelit në Firence, në vitin 2022, e ka dënuar me 9 vjet burgim për veprën penale “Grabitje me armë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal Italian (i kanë mbetur për të vuajtur 5 vjet, 9 muaj e 16 ditë burg)”, njoftoi policia./tvklan.al