Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino është i mendimit që Parlamenti nuk duhet të shkarkojë Presidentin Ilir Meta.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Fino u shpreh se ky akt do të thellonte më shumë gabimin që ka bërë mazhoranca kur e votoi Ilir Metën për President.
Fino propozoi që Presidenti Meta të lihet në detyrë dhe të vazhdojë atë që deputeti socialist e quan “teatër presidencial”.
“Shumë prej nesh do të donim që Presidenti të shkarkohej sot dhe unë e kuptoj presionin e militantëve të bazës së partisë për të shkuar drejt procedurave të shkarkimit Meta. Janë po ata militantë dhe po ajo bazë që na pa me inat kur e votuam Presidentin. Por unë sot them se gabimin që kemi bërë dikur nuk mund ta thellojmë duke e shkarkuar. E lëmë të shkruajë deri në fund, për aq sa mundet, teorinë e tij dhe teatrin e tij presidencial. Ne duhet të lëmë që skenën finale të atij teatri ta luajë nga zyra e Presidentit”, tha Bashkim Fino.
Deputeti i PS thotë se Presidenti i Republikës ka vetëm detyrim kushtetues që të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo ta anulojë.
“30 Qershori nuk është caktuar nga Edi Rama, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe aq më tepër Ilir Meta. Ajo është thjesht një nga dy datat që të gjithë në konsultë me njëri tjetrin mund të zgjidhnin. Pas daljes së dekretit, Presidenti e ka ezauruar detyrimin e vetë kushtetues me caktimin e datës. Të shkosh nga detyrimi kushtetues drejt arsyetimit se pasi ke caktuar datën mund të ndërrosh edhe mendje, është njësoj të pretendosh se kalendarin e varur në murin e shtëpisë ta grisësh dhe data zhduket”, deklaroi deputeti Fino. /tvklan.al