Plani i presidenti amerikan se Gazën do ta shndërrojë në një rivierë të Lindjes së Mesme dhe do të zhvendosë palestinezët ka shkaktuar reagime të forta nëpër botë.

Bashkimi Evropian, Rusia, Kina dhe Gjermania dhe Arabia Saudite e hodhën poshtë plotësisht këtë propozimin. Udhëheqësit botërorë vijojnë të mbështesin formulën e zgjidhjes me dy shtete, e cila ka qenë baza e politikës së ShBA-së në dekada.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Izzat el-Reshiq, tha i kërkoi “presidentit Trump të tërheqë këto deklarata sepse po i hedhin benzinë zjarrit”.

Edhe në Gaza plani i presidentit amerikan u refuzua e u quajt çmenduri. Në Khan Younis palestinezët që jetojnë mes rrënojave të shtëpive të tyre zotohen të mos e braktisin kurrë tokën e tyre.

“Qëndrojmë të palëkundur në tokën tonë këtu. Kush dëshiron të rindërtojë nuk duhet të na dëbojë me pretekstin e rindërtimit”, tha një banor.

Pas këtyre reagimeve të forta të ndërkombëtarëve kundër planit të shpallur nga Trump për marrjen e Gazës e zhvendosjen e palestinezëve, Sekretari amerikan i  Shtetit Marco Rubio zbuti qëndrimet, duke deklaruar se bëhet fjalë për një zhvendosje të përkohshme të palestinezëve.

“Nuk është një propozim armiqësor. Është një ofertë unike, shumë bujare: për të rindërtuar dhe për të qenë përgjegjës për rindërtimin e një vendi. Edhe nëse njerëzit kthehen, nuk do të kishin ku të jetonin të sigurt, sepse ka ende municione të pashpërthyera dhe rrënoja”, tha Rubio.

Edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt mbajti të njëjtën linje, duke theksuar se Trump ka kërkuar që Egjipti dhe Jordania t’i mbajnë përkohësisht refugjatët palestinezë deri në rindërtimin e vendit, teksa mohoi se Trump të jetë zotuar se do të dislokojnë trupat amerikane në Gaza.

Tv Klan