Komisioni Europian kërcënon Italinë me sanksione, nëse nuk korrigjon shpenzimet e tepërta të parashikuara në buxhetin e 2019-ës. Pasi shqyrtuan projektbuxhetin e parashtruar nga Italia, krerët e Komisionit vlerësuan se plani bie ndesh me masat anti-krizë.

“Në atë që qeveria italiane na ka parashtruar, shohim rrezikun e zhytjes së vendit në destabilitet. Ndaj e konsiderojmë të justifikuar marrjen e masave kundër shpenzimeve të tepruara buxhetore”,

tha zv/Presidenti i KE, Vladis Dombrovskis

.

Qeveria italiane ka parashikuar ulje taksash, rritje të pensioneve dhe pagesave të ndihmës ekonomike për të varfrit, studentët dhe sigurimet shëndetësore. Ministri italian i Financave, Xhovani Tria, garantoi se nuk do të ketë shtim të deficitit buxhetor, pasi shpenzimet do të mbulohen përmes planit për shitjen e një numri të madh pronash shtetërore.

Por komisioneri europian për çështjet ekonomike Pierr Moskovisi tha se plani është i paqartë dhe përbën rrezik për qytetarët, bankat dhe sipërmarrjet italiane. Zv/kryeministri italian Mateo Salvini hodhi poshtë kërkesën e Brukselit për rishikimin e buxhetit, duke shkruar në Twitter se Europa duhet të tregojë më tepër respekt për popullin italian. Sipas tij, Italia paguan për unionin 5 mld euro më shumë se ç’merr në kthim.

Bruskeli ka përllogaritur se me buxhetin e ri, Italia do të tejkalojë objektivin deficitit prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Burto, duke rrezikuar rikthimin e krizës në Eurozonë.

Tv Klan