Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur votimin pro të asamblesë së Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Përmes një postimi në “Facebook”, Presidenti Begaj falenderon të gjithë ata që kanë punuar dhe mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në KiE teksa shton se pritet momenti final në muajin Maj.

“Përshëndes vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).  Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.  Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe mometin e merituar për të festuar”, shkruan Presidenti Bajram Begaj.

Gjithashtu, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka përshëndetuar votimin pro të Parlamentit të KiE-për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në një postim në rrjetin social “X”, ministri Hasani shkruan se ky ka shënuar një tjetër moment historik për Kosovën.

Më tej, Hasani thotë se ky është një hap vendimtar drejt një bashkëpunimi më të madh, stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës teksa shton se ndalesa tjetër është Komiteti i Ministrave.

“Një tjetër moment historik për Kosovën. Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës është një njohje e progresit dhe potencialit të saj. Është një hap vendimtar drejt rritjes së bashkëpunimit, stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës. Është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave evropiane.Hapi tjetër: Komiteti i Ministrave”, shkruan ministri Hasani në rrjetin social “X”.

/tvklan.al