Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, takoi fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës: Ajra Bexhdili, Klevis Musa, Kejsi Teliti, Najla Vrapi dhe Kejsi Shehi, të shoqëruar nga drejtuesja e shkollës, znj. Hamide Kariqi, mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, znj. Matilda Bardhi, si dhe Kryebashkiaku Fisnik Qosja, të cilët ndanë, në një bisedë të bukur, eksperiencat e konkursit dhe vlerat e tij në Vitin e Gjuhës Shqipe.

“Sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare: alfabetin e gjuhës sonë të bekuar. Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen”, – theksoi Presidenti pasi i përgëzoi nxënësit për përpjekjen dhe paraqitjen dinjitoze që, siç u shpreh: “Na bën të besojmë se e ardhmja jonë do të jetë shumë herë më e mirë”.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se ky konkurs kombëtar duhet të kthehet në një traditë të përvitshme, që ndër breza ne të vijojmë të ruajmë, si edhe të pasurojmë gjuhën tonë: “Kur ndërtohet një shtëpi, nuk bëhet e bukur çatia, bëhen themelet e forta. Këto themele të hedhura në shkollën “Rilindja” tregojnë që gjuha, rrënja jonë, gjuhë e shqiponjave, do të vazhdojë të mbijetojë. Ajo që keni treguar gjatë kësaj kohe është se përdorimi i saktë dhe i duhur i gjuhës shqipe, mbrojtja dhe promovimi i saj, patjetër dhe pasurimi, është vlerë, vlerë e kombit tonë”.

Nxënësit u shprehen se ia dolën të çojnë trofeun në Kavajë me ndihmën e mësuesve dhe në bashkëpunim të fortë si ekip: “Secili nga ne ka një talent të ndryshëm, si copat e një puzzle që veçmas nuk kemi kuptim, por kur u bashkuam, atëherë dhe ia dolëm të fitonim”.

Presidenti i Republikës i dhuroi secilit nxënës një Fjalor të Gjuhës Shqipe si simbolikë të përkushtimit që ata kanë treguar ndaj gjuhës shqipe duke dalë fitues të konkursit ndër 900 shkolla në vend.

/tvklan.al