Pas 4 vitesh punë, u prezantua drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, vepra më e madhe leksikografike dhe semantike e shqipës së sotme, që përmban 120 mijë fjalë. Ky fjalor shkon përtej standartit duke përfshirë edhe dialektet. Fjalori u prezantua në një datë të rëndësishme siç është ajo e Alfabetit.
Valter Memisha, gjuhëtar: Ne synojmë të ruajmë këtë 120 mijë, për arsye se do ketë procese lakimi, përpunimi…
Në një kohë kur Gjuha Shqipe është përballë kërcënimit nga huazimet, por edhe nga mungesa e drejtshkrimit të saj veçanërisht në platformat online, në ditën e dytë të Kuvendit të Gjuhës Shqipe, u çel debati nëse ka nevojë për një ligj për mirëpërdorimin e shqipes.
Aljula Jubani, studiuese: Po të shikoni Kushtetutën e Shqipërisë, do gjeni aty gabime. Nuk janë gabime të mungesës së presjes, por logjike. Sado ligje të kemi ne, gabimet logjike nuk do të shmangen për shkak të ligjit.
Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave: Kurse ligji ka të bëjë me detyrimin që ka administrata së pari, pra funksionet publike për ta respektuar.
E ndërsa përfundimi i fjalorit të ri u prit me entuziazëm, për gjuhëtarët puna nuk përfundon këtu. Përkundrazi ajo nis nëse arrin të shkojë tek nxënësit.
Valter Memisha, gjuhëtar: Kemi 34 vjet që zyrtarisht fjalor të hartuar nga Akademia e Shkencave nuk bëhet pranë bibliotekave të shkollave.
Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit: Duhet të punojmë edhe më shumë për të ngritur standartin në mësimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në institucionet arsimore.
Fjalori i Gjuhës Shqipe, do të publikohet fillimisht online, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm ai do të botohet në print.
Tv Klan