Ditën e sotme janë futur në ambientet e Presidencës 4 përfaqësues të partive  të vogla duke nisur në këtë mënyrë konsultimet e kreut të shtetit për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi; kryetari i PAA, Agron Duka; kryetari i PR, Fatmir Mediu dhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule u futën pak minuta më parë ku po zhvillojnë një takim me kreun e shtetit, Bajram Begaj, pikërisht për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të ardhshme”, raportoi gazetari Enkel Xhangoli.

Ndërkohë pritet që aty të mbërrijë edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ose përfaqësues të kësaj force politike.

Të gjithë drejtuesit e partive të vogla opozitare do të konsultohen mbi datën e zgjedhjeve të ardhshme, ku kreu i shtetit do të dëgjojë propozimet e tyre.

Më pas ai do të vijojë konsultimet me partitë e tjera për të zgjedhur një datë të pëlqyeshme për forcat politike.

Pas këtyre takimeve, kreu i shtetit do të ketë takim të enjten me përfaqësues të Partisë së Lirisë. Për dy forcat më të mëdha politike është parashikuar që t’i zhvillojë konsultimet ditën e hënë, më 25 Nëntor.

Pas përfundimit të konsultimeve presidenti Begaj do të vendosë një datë konkrete dhe do të shpallë dekretimin e saj.

“Me shumë gjasa do të kemi një datë për zgjedhjet, javën e ardhshme, pasi konsultimet kreu i shtetit, qoftë pas ditës së hënës, do shpallë ditën e zgjedhjeve dhe dekretojë atë”, raportoi gazetari Xhangoli.

Data e zgjedhjeve pritet që të jetë ose në fund të muajit Prill ose dy të dielat e fillimit të muajit Maj. Por kjo do të mësohet pas vendimit që do të marrë presidenti Begaj./tvklan.al