Akuzat publike të bëra nga ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj në adresë të Kryeministrit Edi Rama dhe zv/Kryeministres Belinda Balluku, kanë rihapur debatin për zhvillimet brenda Partisë Socialiste.
Emisioni Opinion në Tv Klan ka diskutuar mbi këto akuza të Ahmetajt.
Deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në emision, është shprehur se politikanë si Arben Ahmetaj por edhe të tjerë, janë persona që mund të komandohen nga Kryeministri dhe të korruptueshëm.
“Po t’i shikosh këta 3 emra që keni vendosur ju, çfarë janë? Çfarë ishin përpara? Asnjë gjë! Nëpunësa të vegjël. Këta ky i ka zgjedhur me dorë. Pse? Se i binden. Midis tyre edhe ky Ahmetaj, edhe ca Ahmetaj të tjerë që janë aty në Parlament, edhe ata që kanë ikur dhe ata që po vijnë. Shefi i madh, autokrati, çfarë zgjedh? Zgjedh njerëz pa vlerë, njerëz të korruptueshëm, sepse shqiptari është mësuar të qeverisë me anën e dobët të njerëzve, jo me anën e mirë. Edhe i vendos në pushtet, këta i komandon ti. Kanë dhe një avantazh tjetër këta. Kur t’i shkuli shefi, siç ka shkulur këtë (Ahmetajn) dhe do t’i shkuli dhe këta të tjerët, këta nuk lënë gropë sepse nuk janë pemë, janë një shkurre e vogël, i heq dhe i hedh. Dhe nuk prishin punë këta. Historia e PS, edhe e PD, është e mbushur me histori të tilla”, u shpreh Dashamir Shehi.
/tvklan.al