Ndryshe nga sa pretendon kryeministri Rama se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ndodhet në Itali për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale, Sali Berisha prej ditësh flet për arrati dhe sekuestrim të laptopit të Engjëll Agaçit nga oficerët e BKH-së.

“Ai ka një muaj që është zhdukur, nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene. Të pyes pak unë këtu Edi Ramën. Po zotrote kur hoqe zorrën qorre, ç’të shtyu ty të botosh fotografinë ditën e dytë të operacionit. Kurse tani për Agaçion, sekret spitali, sekret largimi dhe jo vetëm kaq por emërohet Vilma e pushuar nga Ambasada e SHBA për fshehje akti kriminal, të një punonjësi tjetër”, tha Berisha.

Kryeministrin e paralajmëroi jo vetëm për abuzimet me paratë e taksapaguesve amerikanë, por edhe për çështjen McGonigal, të cilit i kujtoi sërish ekstradimin drejt SHBA-ve.

“Prokurorët amerikanë do vijnë edhe në Tiranë. Ata nuk mund t’i kontrollojë Rama më. Dosja McGonigal ka nisur të ecë është nisur drejt Shqipërisë dhe nuk ka gjë që e shpëton, Damiani ka dëshmuar. Dhe e siguroj se Shqipëria shqiptare, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, do e ekstradojë Edi Ramën në qoftë se gjykata e Uashingtonit e kërkon ekstradimin, ose do e ndëshkojë në Shqipëri sipas rregullave dhe ligjit”.

Sërish foli për reformim të drejtësisë me ekspertizën e “Venecias”, e ku SPAK-u sipas tij duhet t’i nënshtrohet çdo kontrolli, sikundër organet e tjera.

“Rruga e reformimit nuk mund të bëhet pa ekspertizën më të mirë të Komisionit të Venecias, Ky institucion me Kushtetutë duhet të ketë kontroll si çdo institucion tjetër. Së treti, nuk mund të pranoj që ky institucion të regjistrojë telefonat e gjykatësve ku çon dosjet. Kjo nuk shkon”, tha Berisha.

Krahas padisë në kushtetuese pas refuzimit të propozimit të opozitës që në 11 Maj diaspora të votojë edhe me dokumentet biometrike të vendeve ku ata jetojnë, Berisha tha se do t’i drejtohet KQZ-së edhe për shtyrjen e afatit për regjistrimin e emigrantëve.

“Kërkoj shtyrjen e afatit të regjistrimit”, tha Berisha.

Pas narrativës së Edi Ramës dhe sulmeve në adresë të opozitës tha se sheh humbjen e këtij të fundit në 11 Maj.

Tv Klan