Transparenca mbi të gjithë veprimtarinë korruptive dhe kriminalet të qeverisë dhe parashtrimi para qytetarëve shqiptarë i programit të saj elektoral, janë dy nga shtyllat e Partisë Demokratike në sesionin e ri parlamentar.
Kryetari Sali Berisha tha në konferencën për mediat se parlamenti aktual nuk i ka përmbushur detyrimet e tij, duke theksuar se qytetarët do të kenë parlamentin që meritojnë pas zgjedhjeve të 11 Majit.
“Objektivi i Partisë Demokratike është konstant, transparenca mbi të gjithë veprimtarinë korruptive, kriminale të narkoqeverisë dhe parashtrimi para qytetarëve shqiptarë i programit të saj si program i shpëtimit të Shqipërisë nga kjo rrokullisje e madhe. Këto të dy do të jenë shtyllat kryesore në të cilat do të lëvizim ne gjatë kësaj periudhe në Parlament”, tha Sali Berisha.
Vlefshmëria e dokumenteve të emigrantëve mbetet një problem për regjistrimin e diasporës në zgjedhjet e 11 Majit, por për Berishën ky ngërç do të zgjidhej nëse Partia Socialiste do të kishte vullnet politik.
“Asnjë pengesë nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë për qytetarët shqiptarë për shkak të skadimit të dokumenteve që disponojnë. Çdo dokument biometrik i cilido shteti që ata ndodhen duhet të konsiderohet valid, i vlefshëm për të votuar. Konstatoj një mungesë të madhe vullneti nga Partia Socialiste, ka frikë dhe tmerr nga vota e diasporës”, tha Berisha.
Në ditën e betimit si President i 47-të i SHBA, Berisha e cilëson rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si një mrekulli për njerëzimin, ndërsa shpreson edhe në heqjen e masës non grata të vendosur nga departamenti amerikan i shtetit.
“E kam vlerësuar si një mrekulli për njerëzimin fitoren e tij. Do marr një iniciativë për të kërkuar nga administrata e re, sipas rregullave që ekzistojnë që ky vendim strikt, anti opozitë, ky grusht shteti brenda shtetit ndaj forcës politike opozitare të Shqipërisë, të marrë fund”, tha Berisha.
Në vijim të prezantimit elektoral të PD, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion në sistemin e shëndetësisë, ndërsa u zotua për shtim të investimeve në këtë sektor nëse PD rikthehet në pushtet.
Klan News