Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është ngadalësuar për shkak të keqqeverisjes së PS. Kështu është shprehur kryetari i PD, Sali Berisha në konferencën e organizuar nga Partitë Popullore Europiane në Podgoricë të Malit të Zi. Qëndrimet e mbajtura nga ai në këtë konferencë, Berisha i shprehur dhe në prononcimin për mediat.

“Narkoshteti në Shqipëri është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, është jo tërësisht i njohur si i tillë, por unë mendoj se, po kontribuohet gjithnjë e më shumë për të bërë të njohur para elitës politike të qendrës së djathtë Europiane dhe më gjerë, realitetin shqiptar.”

Berisha thotë se kryeministri Edi Rama ka përfshirë botën e krimit në qeveri dhe se po bën presion për të siguruar vota në zgjedhjet e 11 Majit.

“E thashë që në fillim se unë, përfaqësoj opozitën dhe kam pikëpamje të ndryshme lidhur me ngadalësinë e procesit të integrimit që është tërësisht nga faktorë kryekëput pothuajse, nga faktorë lokalë. Nga mosrespektimi i standardeve demokratike, nga penetrimi i thellë i krimit në qeverisje. Në Shqipëri konkretisht narkoshteti, nga përdorimi i terrorit politik për të marrë vota dhe mandate.”

Berisha tregon dhe se si u prit rikthimi i tij në një konferencë të nivelit të lartë të Partive Popullore Europiane.

“U prit në mënyrë të shkëlqyer. Ky rikthim i llojit të tij është epik, ndaj dhe miqtë e vjetër i takova dhe më përgëzuan. Natyrisht edhe vendosmëria e tyre. Shqipëria nuk është ajo që ishte. Njohuritë për Shqipërinë janë krejt të tjera sot. Edi Rama do ti ketë kohërat të pamundura të manipulojë, siç ka manipulur gjer sot opinionet.”

Berisha thotë se për sa kohë vendi drejtohet nga PS Shqipëria do të shkojë gjithmonë e më larg mundësisë së anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Klan News