Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në dalje të SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e akuzoi Ramën si “redaktorin” që, sipas tij, ka manipuluar dhe drejtuar zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimet ndaj drejtësisë të PS-së.
Kreu i demokratëve shprehet se Edi Rama ka redaktuar statuset e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Tani, siç e do dhe transparenca, me të drejtë prisni t’u rrëfej se çfarë gjeta aty brenda, çfarë kishte në sallat dhe korridoret e Skapit të partisë. Sot, aty takova Redaktorin. Redaktori është një person, të cilin mediat e censuruan. Mediat dëshmuan se Erion Veliaj, Lal Vjedhësi, në telefonatat e tij të panumërta, i jepte të vëllait porosi për Mjero Bazen, për Bolinon, për Yzeirin e të tjerë. Por atë që u fshehën mediat ju, ua them unë. Në urdhëresat dhe udhëzimet e tij ishte një shumë e veçantë. Për këtë çështje, thoshte, do pyetet Redaktori. Kjo çështje nuk do dalë pa u pyetur Redaktori. Tani, do thoni ju, cili ishte Redaktori. Redaktori ishte Edi Rama. Dëgjojeni miq se çfarë Jagoje i paskrupullt është. Natën i ndërsente kundër Skapit, ditën sulmonte Etjenin se guxove të sulmonte Skapin. Ndërkohë, statuset e para janë të gjitha të redaktuara nga Redaktori. Po çfarë po bënte Redaktori këtu? Redaktori këtu kishte vënë përpara një telajo dhe qejf e qejf po pikturonte mustaqet e Kujtim Gjuzit. Po, i them unë, çfarë ke ti me këto mustaqe? Ti i ke tuat. Epo këto të miat nuk më mbushin. E vërteta është kjo. Prandaj është i fiksuar. Dhe çdo fjalë e tij çdo mëngjes fillon me mustaqet dhe mbaron pastaj e dini vetë me çfarë… Në fakt në burg e ka vendin. Një audit i gjithanshëm e pret”, shprehet Berisha.
Ndërkohë Berisha ka publikuar edhe disa përgjime që sipas tij implikojnë ministrin Taulant Balla.
“Tani vazhdojmë përsëri me personazhin më të inkriminuar pas Edi Ramës në Shqipëri dhe ky është Taulant Bego Yaris. Taulanti është një personazh unik. A e dini ju të nderuar gazetarë që ai është edhe hajdut xhepash në kuptimin që nuk ngurron t’u kërkojë mbushmani kartën e telefonit, hidh ca mbushje në kartën time të telefonit. Pra, ky është njeriu që përfaqëson Edi Ramën në Tiranë. Në janar të vitit 2021, Sueli, kapoja i bandës së Elbasanit është në diskutim me pinin D787BO, e gjeni vetë ju ku është, por edhe unë do përpiqem, në lidhje me një çështje kundër tij, të nisur nga OFL. Dosja ndodhet në SPAK. Pini D787BO thotë se ‘do ta kthej dosjen nga Spaku në OFL’. E shihni pra se si bëhen pazaret dhe pastaj më thonë pse thua ti organizatë kriminale. Po çfarë është kjo apo jo? A nuk është pazar që më hiqni dosjen dhe çojani edhe njëherë policisë. Pini D787BO thotë se do ta kthejmë dosjen nga SPAK në OFL dhe shpresoj te kushtet. E kuptoni pra se si shpëtohen kriminelët duke bërë dosjet top futbolli nga Spaku tek OFL dhe duke i nxjerrë jashtë afateve ligjore të gjykimit. Tani në fund thuhet se ‘Tao është plotësisht i vetëdijshëm për këtë’. Domethënë do ta bëj se nuk ka ku të shkojë.Pra, kjo ishte sot për Taon dhe për redaktorin”, tha Berisha.
Ndër të tjera Berisha lexoi edhe mesazhin që i la Altin Dumanit, gjë që tashmë është bërë rutinë e tij sa herë paraqitet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe Skapi i partisë është krimi antikushtetues dhe antidemokratik më i madh në historinë e pluralizmit politik. Është atentati më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira”, ky është mesazhi që Berisha i ka lënë Dumanit./tvklan.al