Nga Mali i Zi ku po merr pjesë në samitin rajonal të Partive Popullore Europiane për Integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, Sali Berisha bëri përgjegjëse qeverinë për vonesat në rrugëtimin e vendit drejt unionit.

“Narkoshteti në Shqipëri është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, është jo tërësisht i njohur si i tillë, por unë mendoj se, po kontribuohet gjithnjë e më shumë për të bërë të njohur para elitës politike të qendrës së djathtë Europiane dhe më gjerë, realitetin shqiptar”, tha Berisha.

Berisha tha se në panelin ku ishte i ftuar nga presidenti i PPE-së Manfred Weber kishte denoncuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

“Nga mosrespektimi i standardeve demokratike, nga penetrimi i thellë i krimit në qeverisje. Në Shqipëri konkretisht narkoshteti, nga përdorimi i terrorit politik për të marrë vota dhe mandate. Pra paraqita realitetin shqiptar siç është. Edi Rama do ti ketë kohërat të pamundura të manipulojë, siç ka manipuluar gjer sot opinionet”, tha Berisha.

Këtë rikthim në PPE, kryedemokrati e sheh si ogur të mbarë edhe për fitoren e 11 Majit.

Tv Klan