Sali Berisha ishte këtë të hënë në SPAK në zbatim të vendimit të gjykatës “detyrim paraqitje”. Jashtë godinës u prit nga dhjetëra mbështetës dhe deputetë demokratë.
Qëndroi për 15 minuta para Oficerit të Policisë Gjyqësor dhe kur doli, zbuloi për mediat çfarë kishte shkruajtur në procesverbal, të cilin e cilësoi një kartolinë.
“Po ua lexoj pak shënimin, kartolinën e mëngjesit që u dërgova krerëve të organizatës kriminale Skrapi i partisë. Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Pra, do përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë”, tha Sali Berisha.
Sali Berisha akuzoi SPAK se po u mbyll dosjet e të inkriminuarve me urdhër të qeverisë. Dosja Tojota Jaris, tha kryetari i PD-së, është një shembull i tillë.
“Vladi (e merrni me mend ju tani, Vladi dhe Balla ishin njëlloj, ishin para të përbashkëta): OK se flas unë, por të na tregojë mënyrën se si do e mbyllë. Shtetasi i dërgon mesazhin që ka marrë nga shtetasja Eriona Daupaj, që e informon për mënyrat se si do mbyllet duke nxjerrë procedurën jashtë afateve ligjore. E kuptoni se si i mbrojnë kriminelët këta horra? I mbrojnë me skadim afatesh, me të gjitha mënyrat”, tha Berisha.
Sali Berisha u tha mediave se do të denoncojë çdo aferë korruptive dhe kriminale që bëhet në SPAK.
Ish-Kryeministri akuzohet për korrupsion në dosjen hetimore të ish-klubit Partizani.
Klan News