Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi fillimin brenda kësaj jave të një turi intensiv takimesh me zgjedhësit.
Reformat do të jenë në qendër të këtij dialogu, sikundër e cilësoi kryetari i qeverisë, duke përmendur ndër të tjera liberalizimin e vizave.
Qeveria do të bëjë transparencën e arritjeve në këtë drejtim, përpjekjeve për të përmbushur kriteret e udhërrëfyesit që mundësojnë lëvizjen pa viza.
Sali Berisha: “Duke filluar nga kjo javë në mbarë Shqipërinë do të nisë një seri takimesh të cilat nuk do kenë të sosur. Ky dialog me qytetarët shqiptar ka një qëllim më kryesor, paraqitjen e reformave të qeverisë para tyre, tërheqjen e mendimit dhe të sugjerimeve të tyre, njohjen e qytetarëve shqiptar me veprimtarinë intensive të mazhorancës e cila kurrë, në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk ka qëndruar i ngujuar në kuti. Tjetër kutia, tjetër reforma të cilat kanë ecur këto muaj me shpejtësi më të madhe se kurrë në çdo fushë. Është e domosdoshme të zhvillojmë një dialog dhe debat me mbarë qytetarët shqiptar të të gjithë spektrit politik.”
Lufta ndaj korrupsionit mbetet prioritet i qeverisë, ndaj dhe dialogu me bazën do të fokusohet në transparencën e arritjeve edhe në këtë drejtim.
Këtu kryeministri përmendi reformën në shëndetësi, e cila ka shënuar zhvillime domethënëse.
Sali Berisha: “Gjatë këtyre muajve ka ndodhur një reformë e thellë e suksesshme, janë vendosur çmimet e referencës dhe kjo ka sjellë një reduktim dramatik të parapagimit, një poll paraprak tregon se rënia është rreth 70%. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin tonë të hekurt në luftën kundër korrupsionit.”
Kryeministri foli gjithashtu për një politikë që stimulon investimet, nuk prek pagat dhe pensionet dhe ruan ritmet e rritjes ekonomike.
Sali Berisha: “Këtë vit ne do të jemi më të ashpër se vetë politika e FMN-së. Kemi marrë këto vendime së pari sepse ne objektivat madhorë i realizojmë plotësisht dhe me këtë politikë shtrëngimi, shtërgice. Së dyti në raport me shpenzimet publike dhe investimeve ne përparësi do t’u japim nxitjes së investimeve dhe politikat ekonomike rigoroze, natyrisht pa cenuar rritjen e rrogave dhe pensioneve.”
Në fund të fjalës së tij, Berisha iu referua diskutimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve të propozimeve të PS.
Kryetari i qeverisë tha se debatet duhet të orientohen drejt kompromisit, gjithnjë në zbatim të ligjit dhe kushtetutës.
Sali Berisha: “Diskutimin e nisur sot në Komisionin e Ligjeve të predominoi shpirti i kompromisit dhe të procedohet me vendimet e duhura në përputhje të plotë me kushtetutën, ligjet e vendit, por edhe në kompromis me opozitën, siç ne i kemi premtuar dhe duhet të informoni çdo qytetar, çdo shqiptar duhet ta dijë se në rast se opozita ka listuar një seri kërkesash. Mazhoranca ka listuar një seri ofertash dhe kompromisesh të ndershme.”
Zoti Berisha ripërsëriti dhe një herë angazhimin e mazhorancës për zgjidhje të ngërçit politik.
Për këtë, kryeministri përmendi koncesionet ofruar opozitës, sikundër drejtimi i komisionit hetimor për zgjedhjet apo dhe oferta për të votuar çdo amendament të propozuar nga opozita./tvklan.al