Patozi: Bie ndesh me Kushtetutën, nuk hapen listat
Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Elektoral, Bindja Demokratike, paralajmëron se do ta çojë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Kreu i kësaj force politike, Astrit Patozi thotë se amendimet e maxhorancës vijnë në kundërshti me vetë ndryshimet e bëra prej saj në ligjin themeltar të shtetit në 30 Korrik.
“Kushtetuta i hap listat kurse kodi elektoral i mbyll, është njësoj si ajo shprehja e famshme që ‘i Zoti e jep dhe tellalli se jep'”.
Sipas Patozit ndryshimet shkelin konceptin kushtetues të barazisë së votës dhe të preferencës së zgjedhësit.
“Vendosur njerëz dhe aty qëndron e gjithë hileja. Është antikushtetuese sepse qytetarëve u është premtuar hapja e listave, ndërkohë që hapja e listave praktikisht nuk mund të realizohet”.
Të vetmit përfitues në zgjedhje të ndryshimeve, Patozi thotë se janë dyshja Rama-Basha.
“Gjithë tjerët janë ose të goditur ose më pak të avantazhuar. Është më i irrituar dhe më i mërzitur Presidenti i Republikës që s’ka asnjë lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit, sesa kryetari i opozitës së bashkuar, i cili po merret me taksistët, me infermierët dhe me gjithçka tjetër, por jo me atë qe është thembra e Akilit për zgjedhjet e ardhshme.”
I prerë është kur thotë se në 25 Prill, bindja nuk do të rreshtohet në krah të përgjegjësve dhe shkaktarëve të shkeljes së Kushtetutës, duke përjashtuar çdo mundësi rikthimi në kampin opozitar të drejtuar nga Lulzim Basha.
Tv Klan