“Të paktën nuk është bandë, Fatos…”
Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar kundër deklaratave të bëra nga analisti Fatos Lubonja se kush krijon parti të re para zgjedhjeve ose është delirant, ose i blerë nga Rama.
Me anë të një statusi në Facebook, Patozi i kujton Lubonjës se ai është autor i thënies së famshme se, “Shqipëria qeveriset nga tri banda” .
Sipas Patozit, Lubonja është mërzitur paradhënie, njësoj si të gjithë “bandat” për krijimin e një force të re politike.
“Të paktën nuk është bandë, Fatos… Eh mor Fatos, e paske harruar fare sot që je autori i thënies së famshme se Shqipëria qeveriset nga tri banda. Dhe qenke shqetësuar për lindjen e një partie të re, megjithëse ajo ende nuk ka dalë nga mitra. Ne nuk e dimë çfarë do të bëhet ajo nesër dhe më tej, por e vetmja gjë që mund të thuhet sot me siguri është fakti se ajo nuk mund të quhet bandë. Sepse duhen prova, madje dhe krime të rëndësishme që ta meritosh këtë titull, apo jo Fatos? Por ti qenke mërzitur paradhënie edhe për lajmin e ardhjes në jetë të një force të re politike, njësoj siç kanë bërë disa apo ndoshta të gjitha bandat, që sipas teje komandojnë prej vitesh Shqipërinë. Që do të thotë se ti nuk paske hallin që të shpëtojmë prej bandave, por thjesht je duke bërë tifozllëk të fortë për njërën apo për disa prej tyre”, thotë Patozi në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Më herët, i pyetur rreth lajmit se ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Toppalli, do të krijojë një parti të re, analisti Fatos Lubonja në një intervistë televizive u shpreh: Kush krijon parti në prag të zgjedhjeve ose është delirant, ose është i blerë nga Rama. Nëse duan të krijojnë parti, duhet ta bëjnë pas zgjedhjeve, që të tregojnë se janë njerëz që kanë vërtet një qëllim. /tvklan.al