Besimtarët katolikë janë të lehtësuar pas lajmeve nga Vatikani se shëndeti i Papa Françeskut është përmirësuar.
”Ishte një lajm i mrekullueshëm, jo vetëm për mua, por për të gjithë botën. Ne jemi shumë të gëzuar këtë mëngjes. Nuk ka asnjë lajm më të mirë sot”, u shpreh një banore e Romës.
“Nuk ka pasur kurrë një papë kaq të mirë. Le të lutemi për shëndetin e tij”, tha një tjetër banor i këtij qyteti.
Vatikani njoftoi në deklaratën e radhës për shëndetin e Atit të Shenjtë se 88-vjeçari kaloi një natë të qetë dhe u zgjua rreth orës 08:00.
Në deklaratën e së hënës nga Vatikani sqarohej se Papa Françesku po reagon pozitivisht ndaj trajtimit në spital dhe se e ka kaluar rrezikun për jetën. Megjithatë, mjekët paralajmëruan se ai do të qëndronte ende në spital edhe për disa ditë të tjera për të marrë trajtim.
Papa Françesku u shtrua në spitalin Gemelli të Romës me një infeksion të rëndë respirator më shumë se tre javë më parë dhe që atëherë ka qenë në spital. Ai u trajtua fillimisht për bronkit para se të diagnostikohej me pneumoni të dyfishtë.
Klan News