Pas dy krizave në frymëmarrje që pësoi një natë më parë, Vatikani në një deklaratë ka bërë të ditur se Papa Françesku është në gjendje të qëndrueshme.

“Papa ka fjetur gjatë natës dhe tani vazhdon të pushojë”, tha Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë në një deklaratë. Ati i Shenjtë, pësoi dy episode të “insuficiencës akute të frymëmarrjes” dhe u desh përdorimi i mjeteve për frymëmarrje mekanike jo-invazive.

Duke marrë parasysh se testet laboratorike nuk zbuluan një infeksion i ri. Megjithatë, mjekët nuk specifikuan nëse krizat në frymëmarrje kanë përfunduar. Sipas buletinit të fundit shëndetësor, Papa pësoi një bronkospazmë, e ngjashme me një atak astme, që i detyroi mjekët të kryejnë dy bronkoskopi.

Nuk janë publikuar as imazhe dhe as video të Papës që nga momenti kur ai u shtrua në spital më 14 Shkurt për shkak të sëmundjes së mushkërive. Arqipeshkvi Vincenzo Paglia ka kërkuar që ai të rikuperohet në paqe dhe jashtë syrit të publikut.

Besimtarët kanë shkuar vazhdimisht pranë spitalit Gemelli dhe janë lutur për Papën. Pranë spitalit janë lënë mesazhe të shkruara për të, përfshirë edhe poster të vizatuar nga fëmijët.

Në dy vjetët e fundit Papa është përballur me disa probleme shëndetësore. Ai është i prirë ndaj infeksioneve në mushkëri për shkak se në rini ka hequr një pjesë të mushkërive.

Ati i Shenjtë nuk është parë në publik që nga hyrja në spital, mungesa e tij më e gjatë që nga fillimi i papatit të tij në Mars 2013, dhe mjekët e tij nuk kanë thënë se sa mund të zgjasë trajtimi i tij.

Klan News