Papa Françesku dërgoi të enjten mesazhin e tij të parë me zë nga spitali, shenjë se shëndeti i tij po përmirësohet, pas gati tre javësh në spital i prekur nga një pneumoni e dyfishtë.

Ai shprehu falënderime “nga thellësia e zemrës” për dashamirësit në mbarë botën që i kanë dhënë mbështetje këto ditë të vështira.

Mesazhi i shkurtër i regjistruar nga Papa Françesku nga spitali Gemelli i Romës më herët të enjten u dëgjua në Shën Pjetrit në Vatikan.

“Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për lutjet tuaja për shëndetin tim në shesh, ju shoqëroj nga këtu. Zoti ju bekoftë”, tha Papa.

Audioja e Papës u publikua menjëherë pasi Vatikani njoftoi se Ati i Shenjtë është në gjendje të qëndrueshme dhe nuk ka pasur ndonjë krizë të frymëmarrjeje.

Ndërsa papa 88-vjeçar vazhdon trajtimin, mjekët thanë se nuk do të lëshojnë tjetër buletin mjekësor deri të shtunën, “duke marrë parasysh gjendjen e qëndrueshme klinike”.

Pavarësisht ndërprerjes së buletineve mjekësore, mjekët po tregohen të matur dhe nënvizuan se Papa nuk është ende jashtë rrezikut.

Toni i lajmeve nga Vatikani ka qenë më optimist ditët e fundit, pas dy episodeve të rënda të “insuficiencës akute të frymëmarrjes” të hënën.

Françesku u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator që ka kërkuar trajtim të vazhdueshëm.

Tv Klan