Arta Vorpsi nis punën me betim të noterizuar
Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari janë betuar në mbrëmje para kreut të shtetit Ilir Meta si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë këtë gjykatë funksionale pas më shumë se 1 viti.
Ceremonitë ishin të ndara në presidencë. Ne to morën pjesë anëtarja me mandat të mbaruar të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Besnik Muçi, anëtari që u zgjodh nga Meta dhe sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese Eugen Papandili.
Zonja Xhaferllari, e cila nuk njihet nga mazhoranca si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, iu shmang pyetjes së gazetarëve se kur do të shkonte në zyrën e saj të re.
Ndryshe nga kolegët e saj, Arta Vorpsi, që njihet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe nga mazhoranca si anëtarja që plotëson vakancën e dytë të presidentit, nuk e ka bërë betimin në presidencë.
Kreu i shtetit nuk e njeh atë si plotësuese të vakancës dhe për këtë arsye emëroi Xhaferllarin në vend të saj. Por mëngesin e të enjtes, Vorpsi u paraqit në Gjykatën Kushtetuese, jo më si këshilltare detyre që e ka mbajtur deri tani, por si anëtarja më e re e kësaj gjykate.
Vorpsi noterizoi pranë noteres Miranda Xhemalçe një betim që kishte bërë për të pranuar detyrën në Kushtetuese. Në deklaratën noteriale, të siguruar nga Tv Klan, ajo e quan veten tashmë anëtare të gjykatës dhe thotë se është betuar në Kushtetutë.
“Unë e nënshkruara Arta Vorpsi, në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të emëruar, bazuar në vendimin nr 132, datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, botuar në Fletoren Zyrtare si dhe në nenin 8 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetutë: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë””.
As ora e dorëzimit të deklaratës tek noteri, as vendi se ku është bërë betimi nuk figurojnë në deklaratën noteriale. Por noterja Xhemalçe dha detaje se si u krye noterizimi i betimit.
Presidenca reagoi duke thënë se Presidenti nuk ndalon askënd të betohet as te noterja dhe as te parukjerja. Me këtë lëvizje të Arta Vorpsit dhe të Presidentit te Republikës, Gjykata Kushtetuese ka dy anëtare për të njejtin vend, duke e parë veten për herë të parë në histori në një situate të tillë. /tvklan.al