Presidenti amerikan, Joe Biden në një fjalim para gazetarëve u shpreh se nuk është i sigurt nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po vonon të arrijë një marrëveshje armëpushimi në Gaza, për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane. Gjithsesi ai tha se është presidenti amerikan që ka bërë më shumë për Izraelin.
“Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë. Asnjë, asnjë. Dhe mendoj se Benjamin Netanyahu duhet ta mbajë mend këtë. Dhe nëse ai po përpiqet të ndikojë në zgjedhje, nuk e di. Por nuk po llogaris në këtë”, tha Biden.
Presidenti Biden ndonëse konfirmoi edhe një herë se mbështet të drejtën e Izraelit për tu mbrojtur dhe hakmarrë, tha se arritja e një marrëveshje është e domosdoshme.
“Ajo që di është se plani që kam bërë së bashku ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për t’i dhënë fund luftës. Izraelitët kanë çdo të drejtë t’i përgjigjen sulmeve jo vetëm nga iranianët, por edhe nga Hezbollahu, Houthi, por ata duhet të jenë shumë më të kujdesshëm ndaj civilëve”, tha Biden.
Sondazhet tregojnë se konflikti në Lindjen e Mesme dhe dështimi për të siguruar një marrëveshje diplomatike po dëmton Biden dhe zëvendës presidenten amerikane Kamala Harris.
Tv Klan