Arritja e një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte ndër temat kryesore të Samitit informal të Vienës. Prishtina dhe Beogradi morën mbështetjen e Brukeslit në këtë fazë delikate, siç u nënvizua edhe nga shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini.

“Cilido që të jetë rezultati i dakorduar në mënyrë reciproke, do të ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtën europiane. Historia e BE bazohet në tejkalimin dhe parandalimin e idesë së vendeve me kombësi etnike

“, tha shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini.

“Çdo zgjidhje në Ballkan duhet të krijojë më tepër stabilitet. Është bërë progres, por është shumë herët për të folur për detajet”

, u shpreh eurokomisioneri Johannes Hahn.

“Është me rëndësi të mbështesim dialogun mes dy presidentëve në këtë proces tejet delikat. Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte më shumë stabilitet në të gjithë rajonin

“, deklaroi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Ndryshe nga aktorët kryesorë të BE, Gjermania mbetet e prerë kundër diskutimit për rishikim kufijsh.

“Ne besojmë, që kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra në popull. Diskutimet për shkëmbim territoresh nuk çojnë në drejtimin e duhur”.

Jo shumë optimist ishte ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili theksoi se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është e sigurt se kur do të ndodhë. Sakaq, politika në Prishtinë mbetet e ndarë. Kryeministri Ramush Haradinaj paralajmëroi se shkëmbimi i territoreve është ftesë për tragjedi të reja në Ballkan. Përgjigjia e Presidentit Thaçi nuk vonoi.

Kreu i shtetit tha se Kosova mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Teksa në të dyja vendet diskutohet ideja e rishikimit të kufijve, prestigjiozja ‘The Economist’ në një analizë të saj sheh si skenarin më të mundshëm të një marrëveshjeje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit atë që përmban njohjen e pavarësisë së Kosovës në kufijtë aktualë, por edhe shpalljen e autonomisë së krahinave serbe të veriut.

Tv Klan