Liderët europianë si kryekomisionerja Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Olaf Scholz e kryeministri britanik Keir Starmer janë mbledhur në Pallatin Presidencial në Paris për të diskutuar për procesin e paqes në Ukrainë me ftesë të presidentit Emmanuel Macron.
Takimi urgjent i nivelit të lartë u thirr pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, përjashtuan Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe nga bisedimet që nisin të Martën në Arabinë Saudite.
Pjesë e diskutimeve është dërgimi i trupave paqeruajtëse nga vendet e NATO-s në Ukrainë, ide e mbështetur fuqimisht nga kryeministri britanik Keir Starmer. Ndërsa Polonia tha se nuk do të bëhet pjesë. Ekziston frika që kjo të çojë në shpërthimin e një konflikti të armatosur të këtyre vendeve me Rusinë.
Paraditen e kësaj të hëne, në Riad mbërriti Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio, që do të jetë pjesë e delegacionit nga Shtetet e Bashkuara ku bëjnë pjesë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Ëaltz dhe i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkof.
Pjesëmarrës në delegacionin rus, ministri i Jashtëm i këtij vendi Sergei Lavrov tha para nisjes drejt Riadit se BE nuk do që lufta të mbarojë ndaj nuk shihte arsye që ata të jenë pjesë e bisedimeve.
Bisedimet e të martës pritet të hedhin bazat për një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për Ukrainën. Vetë Trump shprehu bindjen dhe tha se takimi do të zhvillohet shumë shpejt, ndërsa tha se në bisedimet e paqes do të ftohet edhe Ukraina.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se Ukraina nuk do të marrë pjesë këto negociata për paqen dhe nuk do t’i njohë rezultatet e tyre.
Zelensky e kundërshton pjesëmarrjen pasi Uashingtoni ka propozuar që Ukraina të heqë dorë nga kushti i rikthimit në kufijtë para 2014-ës dhe nga ambicia për të qenë pjesë e NATO-s për disa vite.
Tv Klan