Një delegacion amerikan po përgatitet të takohet me përfaqësuesit rusë në Arabinë Saudite për të filluar negociatat që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio i cili ka mbërritur në Arabinë Saudite, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, janë midis atyre që pritet të marrin pjesë. Nuk dihet ende se kush mund të jetë pjesë e delegacionit të Rusisë. Sipas mediave ndërkombëtare pritet që takimi të mbahet ditën e martë në kryeqytetin saudit Riad.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy është gjithashtu në rajon. Zelenskiy, i cili mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën, tha se ai synonte gjithashtu të vizitonte Arabinë Saudite dhe Turqinë. Ai tha se nuk kishte plane të takohej me zyrtarë rusë apo amerikanë dhe se Ukraina nuk është e ftuar në bisedimet e organizuara nga Arabia Saudite.

Janë ngritur shqetësime për rolin e Ukrainës në negociata. Zyrtarët evropianë theksojnë se Kievi nuk duhet të anashkalohet, por zyrtarët amerikanë kanë kërkuar të qetësojnë këto shqetësime, duke thënë se Ukraina mund të përfshihet në bisedimet e ardhshme.

Nga ana tjetër,  Presidenti i SHBA Donald Trump tha se ai vetë mund të takohej me presidentin rus Vladimir Putin në Arabinë Saudite “shumë shpejt”. “Unë mendoj se Putini dëshiron të ndalojë së luftuari,të dy dëshirojnë ti japin fund shumë shpejt,” u tha Trump gazetarëve pas një fluturimi në Air Force One.

Takimi me Rusinë, edhe pse paraprak, do të sinjalizojë fillimin e negociatave të përshpejtuara falë këmbënguljes së presidentit Trump për një marrëveshje dhe vendosmërinë e tij në dukje për të zhvilluar negociatat vetëm me Rusinë, të paktën tani për tani.

Plani, sipas mediave të ndryshme ndërkombëtare është që të ketë një armëpushim deri më 20 prill, Ukraina të qëndrojë larg Nato-s për 10 vjet dhe rindërtimi i saj prej 486 miliardë dollarësh të mbulohet nga Evropa.

Ndërkohë, liderët evropianë do të takohen gjithashtu sot në Paris për të diskutuar situatën në Ukrainë, me liderë nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Spanja dhe Italia mes të pranishmëve.

Diplomatët evropianë kanë bërë të ditur se takimi do të kishte për qëllim përcaktimin se çfarë ndihme të menjëhershme mund t’i jepet Ukrainës, çfarë roli konkret mund të luajë Evropa në ofrimin e garancive të sigurisë për Kievin dhe se si të forcohet siguria kolektive e Evropës.

Shpenzimet ushtarake, gjithashtu, ka të ngjarë të diskutohen në Paris. Donald Trump dëshiron që vendet evropiane të shpenzojnë 5% të PBB-së të shpenzuar për mbrojtjen.

Klan News