Në të parin fjalim para anëtarëve të dy dhomave të kongresit pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump vlerësoi Volodymyr Zelenskyn për gatishmërinë e shprehur për të sjellë paqen në Ukrainë, një zbutje e qëndrimit krahasuar me debatin e ashpër të së premtes mes të dyve në Shtëpinë e Bardhë dhe pas bllokimit të ndihmës amerikane
“Mora një letër nga presidenti Zelensky, ku shprehte gatishmërinë për t’u ulur në bisedime sa më shpejtë të jetë e mundur. Askush nuk e do paqen më tepër se ukrainasit. Edhe Rusia na ka dhënë shenja të forta se është gati për paqe”, tha Donald Trump.
Në letër, presidenti ukrainas shprehej se ishte gati po ashtu të nënshkruante marrëveshjen e mineraleve si kompensim për ndihmën e madhe financiare amerikane për përballimin e luftës kundër Rusisë.
Në fjalimin e tij të gjatë, Trump tha se Amerikës i është rikthyer epoka e artë dhe sipas tij, ky është vetëm fillimi. Mbrojti politikat e taksave të larta të importit për Meksikën, Kanadanë dhe Kinën, që pritet të rritin ndjeshëm çmimet nëpër botë. Vlerësoi si arritje historike nisjen e dëbimit masiv të emigrantëve të jashtëligjshëm, ftoi Groenlandën të bëhen pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe premtoi vendosjen e flamurit amerikan në Mars.
Fjalimi i tij u shoqërua me protesta të demokratëve në sallë, aq sa kongresmeni teksan Al Green u dëbua nga salla nga stafi i sigurisë pasi ndërpreu disa herë fjalimin.
Në rrjetin social Truth, Trump paralajmëroi palën kanadeze të mos vendosë kundër tarifa.
“Ju lutem shpjegojani Guvernatorit Trudeau të Kanadasë se nëse vendos tarifa ndaj Shteteve të Bashkura, tarifat tona reciproke do ta rritin menjëherë sasinë”, tha Presidenti Donald Trump.
Më herët, Trudeau akuzoi Trumpin se me tarifat e importit po përpiqet ta falimentojë ekonominë kanadeze, për ta aneksuar këtë vend.
Tv Klan