Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi fajëson qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën në të cilën gjendet ndërmarrja publike, “Trepça”. Sipas tij Qeveria nuk ka aftësi për të menaxhuar me këtë ndërmarrje.
“Sot pas tri vite e gjysmë të kësaj qeverie nëse lexon se çka është fol në fushatë, çka është folur kur ka qenë kryeministri në detyrë zyrtare në fjalimet që i ka mbajt edhe në ‘Trepçë’ atje, e sheh si shembullin më të mirë të mos mbajtjes se as një premtimi. Të një politike me thënë shumë e më bë gati asgjë. Normalisht sheh edhe paaftësi, ajo që e ka karakterizuar këtë qeveri, vazhdimisht është paaftësi për të trajtuar një problem të vetëm si duhet”, tha Rukiqi.
Për kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, “shpëtimtari” i vetëm për këtë ish-gjigand metalurgjik është vetëm privatizimi.
“Ideja e qeverise së Kosovës për fuqizim të Trepçës përmes fondeve shtetërore është një ide e cila nuk mund të realizohet asnjë herë. I vetmi shpëtim i Trepçës sot është privatizimi, prandaj duhet të përgatitet mirë dosja për privatizim, duhet të promovohet vlera e Trepçës edhe pse është e njohur në krejt botën”, tha Shahini.
Sipas Shahinit për privatizimin e Trepçes mund të shfaqin interes jo vetëm korporata të mëdha ndërkombëtare, por edhe vetë bizneset kosovare.
Tv Klan