Kërkohet ndihmë, rregulla të forta, por të mos ndalet aktiviteti ekonomik
Bizneset vlerësojnë se situata e masave drastike kundër përhapjes së koronavirusit do të sjellë një efekt bllokues të kompanive private, por dhe ekonomisë së vendit, e cila nëse do të zgjasë, me shumë mundësi do të fusë vendin në recesion. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s, thotë se mund të mjaftojnë vetëm 30 ditë me masa të tilla, të cilat do të japin pasoja të parikuperueshme për shumë sektorë.
Por për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, masat bllokuese janë të duhurat, e nëse do të kërkohet përshkallëzim i tyre, sipërmarrësit do t’i zbatojnë. Nikolin Jaka, kreu i kësaj Dhome thotë se qeveria duhet që në këtë situatë që është të hartojë një paketë me ndihma për biznesin, pasi dëmet vlerësohen të jenë të mëdha.
Jaka kërkon që të ketë njësi të specializuara për të mbikëqyrur në këtë periudhë biznesin e ushqimit, ndërsa kërkojnë reduktim të numrit të ndërmarrjeve që ofrojnë këtë shërbim në mënyrë që ushqimet të jenë të kontrolluara.
Ndërsa bizneset e Konfindustria-s kërkojnë vendosjen e rregullave të forta dhe ndëshkuese për ata që nuk i zbatojnë, por kurrsesi të vendosen të gjithë ndërmarrjet në të njëjtin vlerësim apo të ndalohet puna dhe çdo aktivitet ekonomik.
Bizneset që po vuajnë të parët pasojat e masave shtrënguese janë ata të sektorit të shërbimeve, bare-eve dhe restoranteve ndërsa bllokimi i qarkullimit pritet të japë një efekt zinxhir në rënien e shitjes dhe uljes së prodhimit për të gjithë ekonominë e vendit.
Tv Klan