Një grua në Britani u bë me 3 rosakë të quajtur Beep, Peep dhe Meep, të cilët çelën nga vezë që kishte blerë në supermarket.
29-vjeçarja Charli Lello vendosi që të eksperimentonte me vezët të cilat i futi në inkubator, gjatë kohës që ndodhej në shtëpi, e karantinuar për shkak të pandemisë.
“Ideja më lindi nga një video që më doli në Facebook, të dikujt që kishte çelur vezë thëllëze”, tha e reja duke folur për CNN. “Ky në fakt ishte plani im fillestar, por ndërkohë që ndodhesha në supermarket pashë vezët e rosës dhe mendova përse të mos e provoj edhe me to. Përpara karantinës me mamanë time kishim folur për idenë për të marrë rosa në shtëpi gjithsesi.”
“Një mendje me thoshte që nuk do të funksiononte kurrë. Asnjë prej vezëve të thëllëzave nuk çeli, por pas 6 ditësh në inkubator, kontrollova vezët e rosës dhe mund të shihja damarë gjaku dhe një embrion të vogël. Të dy ditët që Beep po çelte i kalova e ngjitur pas inkubatorit. Pas tij çeli Peep dhe një javë më pas Meep”, tregoi 29-vjeçarja.
Lello, e cila ka edhe pula, planifikon që t’i mbajë rosakët në shtëpinë e saj në Herfordshire, në veri të Londrës, derisa t’i dalin plotësisht puplat dhe më pas t’i lëshojë jashtë bashkë me pulat.
Ajo tha se rezultati nga eksperimenti e kishte bërë të ndihej shumë mirë dhe këshilloi që kushdo që dëshiron të bëjë të njëjtën gjë, duhet më parë të ketë të gjithë kushtet e nevojshme.
Ndërkohë, në një reagim për CNN supermarketi tek i cili 29-vjeçarja bleu vezët tha se vetëm në raste të rralla vezët e tyre mund të fekondoheshin./tvklan.al