Vrasja e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar ka krijuar kushte të reja për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe kjo ishte kërkesa kryesore e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Gjatë takimit në Jerusalem, sekretari Antony Blinken i bëri thirrje që të përfitojë nga kushtet e krijuara nga vdekja e udhëheqësit të Hamasit Sinwar për të siguruar lirimin e pengjeve, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Sekretari Blinken theksoi gjithashtu nevojën që Izraeli të rrisë ndihmat humanitare që lejohen të hyjnë në Gaza. Më vonë ai takoi edhe ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarë të tjerë. Turneu rajonal i Blinkenit vijon në Jordani dhe Katar.

Ai arriti në Izrael të martën në përpjekjen e parë të Shteteve të Bashkuara për të arritur një armëpushim në Lindjen e Mesme që kur Izraeli vrau udhëheqësin e Hamasit javën e kaluar.

Vizita e Sekretarit Blinken vjen vetëm disa orë pasi Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah shkëmbyen kryen sulme ndaj njëri-tjetrit.

Nga luftimet në Liban, mësohet se të paktën 18 vetë humbën jetën, përfshirë katër fëmijë dhe 60 u plagosën nga një sulm i Izraelit pranë spitalit kryesor qeveritar të Bejrutit.

Avionët izraelitë goditën një objektiv të Hezbollahut afër objektit shëndetësor i cili nuk u prek vetë nga sulmi.

Ndërsa sulmet ajrore vazhdojnë në kryeqytetin libanez Bejrut, në jug të vendit, ushtria izraelite ka goditur edhe qytetin bregdetar të Tirit. Me herët grupi Hezbollah lëshoi ​raketa në Tel Aviv dhe Haifa.

Hezbollahu thotë se nuk do të ketë negociata ndërsa mori përgjegjësinë për një sulm me dron ndaj shtëpisë së kryeministrit Netanyahut të shtunën.

Klan News