Këta janë 3 pengje të tjerë izraelitë që Hamasi liroi mëngjesin e kësaj të shtune. U desh ndërhyrja e ndërmjetësve të Egjiptit dhe Katarit për të bindur organizatën që kontrollon Gazën për lirimin e tyre pasi Izraeli kishte kërcënuar me prishje të armëpushimit në rast të refuzimit të lënies së tyre të lirë.

Momentet e ngjitjes së tyre në një podium përpara një turme njerëzish në Khan Younis u ndoq drejtpërdrejt edhe në Izrael ku familjet shpërthyen në lot gëzimi kur panë të afërmit e tyre. Të 3 pengjet u shkëmbyen me 369 të burgosur dhe të paraburgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Hamasi kishte kërcënuar më herët se nuk do të lironte të tjerë pengje duke akuzuar Izraelin se kishte shkelur kushtet e armëpushimit të vendosur në 19 Janar, por kjo shkaktoi kërcënime nga Tel Avivi për rinisje të luftës.

Hamasi ka liruar më herët 16 pengje izraelite dhe 5 tajlandezë. Janë ende dhe 76 pengje të tjerë, por vetëm gjysma tyre mendohet se janë gjallë. Armëpushimi ka si qëllim hapjen e një faze të dytë bisedimesh për kthimin e pengjeve të mbetura, tërheqjen e plotë të forcave izraelite dhe rindërtimin e Gazës së shkatërruar.

Tv Klan