Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndodhet në Kiev ku dhe ka mbajtur një fjalim. Diplomati i lartë amerikan i ka thënë Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se armët e ofruara nga SHBA-ja po bëjnë një ndryshim të vërtetë kundër agresionit të vazhdueshëm rus në fushën e betejës. Gjatë fjalimit të tij, Blinken është shprehur se Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin që i ka shkaktuar Ukrainës.
“Ka një hap më të rëndësishëm që mund të bëjmë: ta bëjmë Rusinë të paguajë për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës. Atë që Putini shkatërroi, Rusia duhet ta paguajë për të rindërtuar. Kjo është ajo që kërkon ligji ndërkombëtar. Kjo është ajo që populli ukrainas meriton”, tha Blinken.
Më tej, Blinken ka deklaruar se lufta në Ukrainë është në një moment kritik dhe ka theksuar se ofensiva aktuale ruse rreth Kharkiv është ndihmuar nga municionet e Koresë së Veriut, dronët iranianë dhe komponentët kinezë.
Blinken më parë u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së papritur, duke i thënë atij se ndihma ushtarake është tani në rrugën e saj. Vizita e tij vjen ndërsa vendi përpiqet të frenojë një inkursion të madh rus pranë qytetit të tij të dytë më të madh, Kharkiv. Ofensiva ndërkufitare në rajonin e Kharkiv është një nga sulmet më të rëndësishme tokësore ruse që nga fillimi i luftës./tvklan.al