Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, kanë mbërritur në Kiev dhe do t’i bashkohen presidentit Volodymyr Zelenskiy, në ngjarjet që shënojnë përvjetorin e luftës atje.
“Ne jemi sot në Kiev, sepse Ukraina është Evropa. Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që është në rrezik. Është fati i Evropës”, ka shkruar Von der Leyen në rrjetin social “X”.
Presidenti i Komisionit Evropian pritet të zbulojë një paketë ndihme financiare prej 3.5 miliardë eurosh për të “injektuar” fonde shtesë në buxhetin e Ukrainës dhe për të lehtësuar blerjen e pajisjeve ushtarake nga industria e saj vendase. 3.5 miliardë euro është një paradhënie për një fond më të madh ndihme prej 50 miliardë eurosh që Bashkimi Evropian krijoi në fillim të vitit 2024. Teksa Brukseli ka arritur të mbulojë nevojat financiare të Ukrainës për të gjithë vitin, furnizimi me armatim pas verës mbetet i pasigurt.
Udhëheqës të tjerë perëndimorë, si presidenti i Këshillit Evropian António Costa, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau janë gjithashtu në kryeqytetin ukrainas. Ata do të takohen së bashku me presidentin Zelenskyy për të riafirmuar solidaritetin e tyre.

Kjo është vizita e 9-të e Von der Leyen në Ukrainë që pas agresionit rus. Mbështetja nga këta udhëheqës vjen pasi presidenti i Amerikës, Donald Trump e quajti Zelenskyn një “diktator” dhe theksoi se Ukraina filloi luftën. Ndërkohë, Ukraina nuk ishte prezente në bisedimet SHBA-Rusi në Arabinë Saudite.
/tvklan.al