I ftuari i sotëm i moderatorit Bledi Strakosha në programin “Blue” ishte gazetari i mirënjohur dhe drejtori i informacionit në Televizionit Klan, Andi Bejtja, i cili rrëfeu detaje nga karriera e tij në gazetari, si dhe nga 3 librat e tij me poezi dhe tregime.
Ai tregoi se ëndrra e tij ka qenë të shkruajë vazhdimisht, ndaj dhe studimet e larta i kreu për Gjuhë-Letërsi, por në vitin 1991 i lindi pasioni për gazetarinë. Sëbashku me studentët e tjerë të kësaj dege, si Blendi Fevziu, Ben Blushi dhe Andi Bushati, zgjodhën rrugën e gazetarisë, pasi ishin një brez që i përjetoi të dyja sistemet e kryesisht krizën, ndaj dhe kishin shumë për të shprehur. Bejtja theksoi se faktikisht gazetaria e sotme është shumë më e mirë se gazetaria e asaj kohe.
Prej vitit 1992 deri në vitin 2000 Andi Bejtja iu dedikua gazetarisë së shkruar, ndërsa më pas u përfshi në televizion, për shkak të pagesës më të mirë, si dhe protagonizmit. Por ai nuk e krahason kënaqësinë që merr nga shkrimi i një lajmi me një shfaqje në televizor. Bejtja gjithashtu foli për rolin e tij si drejtor informacioni në televizion.
I zgjedhur nga Departamenti i Shtetit, në vitin 2007 Andi Bejtja mori në intervistë presidentin amerikan George W. Bush, nga ku u tha se do të njihej pavarësia e Kosovës, si dhe Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s.
Drejtori i informacionit në Tv Klan rrëfeu gjithashtu detaje nga fëmijëria, pasioni i tij për atletikën, jetesën vetëm, marrëdhënien me bashkëshortën, Sonilën dhe fëmijët e tyre, Belisën dhe Alenin. /tvklan.al