Për herë të parë në sezonin e tretë, programi “Blue” u përqëndrua te mjekësia. I ftuari i sotëm i moderatorit Bledi Strakosha ishte shefi i repartit të nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska. Ai është një mjek nefrolog i mirënjohur, bashkëautor i shumë librave mjekësorë, si dhe doktor i shkencave mjekësore.
Dr. Nestor Thereska rrëfeu në “Blue” eksperiencën e tij 40-vjeçare në mjekësinë shqiptare.
Zoti Thereska ndoqi studimet për mjekësi i shtyrë nga prindërit e tij. Ai u shpreh se fillimisht nuk dëshironte, pasi nuk e duronte dot gjakun. Por me kalimin e kohës u mësua dhe gradualisht i lindi dashuria për mjekësinë.
Ai u shpreh se mjekët nuk qëndrojnë shumë kohë tek i sëmuri. Sipas tij, mjekët duhet ta shohin veten si misionarë dhe të edukojnë pacientët.
Dr. Nestor Thereska dha një mesazh për mjekët e rinj: “Të gjithë degët e mjekësisë janë të rëndësishme, por vlerë më të madhe ka ai që specializohet në një fushë dhe bëhet zë. Ai që e fut shpirtin brenda, fut pasionin i vjen dashuria për profesionin”.
Ai gjithashtu tregoi sesi u ndërtua marrëdhënia e ngushtë me Dr. Sali Berisha. I pyetur nga moderatori Strakosha në lidhje me vendimin e zotit Berisha për të lënë profesionin e tij të dashur dhe për t’u përfshirë në politikë, Dr. Thereska tha se ai ishte kundër, pasi sistemi komunist ishte shumë i vështirë dhe miku i tij do të rrezikonte jetën. Dr. Nestor Thereska tregoi se miqësia e tyre është ruajtur ende dhe vijon të jetë e mbushur me humor.
Ai rrëfeu gjithashtu se shkaku i hapjes së dializës kronike ishte sëmundja e diabetit të diktatorit Enver Hoxha. Pas vdekjes së këtij të fundit, u blenë edhe disa aparatura të tjera dhe u inagurua Qendra e Dializës Kronike në Shqipëri për 12 të sëmurë për plot 14 vjet.
Gjatë një emisioni të gazetarit Blendi Fevziu, z. Thereska zbuloi se në Ministrinë e Brendshme ndodhej një letër, ku Hekuran Isai i shkruante Razim Alisë se në dhomën e Nestor Thereskës mblidheshin çdo ditë mjekë dhe flisnin me zë të lartë kundër sistemit komunist.
Zoti Nestor Thereska është vlerësuar në vitin 2001 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës franceze me titullin “Palma Akademike e Republikës Franceze”. Por ky nuk është i vetmi titull që ka fituar Dr. Thereska, pasi ai numëron shumë tituj nga vende të ndryshme.
Në vitin 2006 Nestor Thereska ndërmori një angazhim shumë të vështirë, siç është transplanti rental. Gjithçka nisi nga doktor Petrela, i cili pas vdekjes së bashkëshortes, nisi një projekt për kancerin e gjirit. Ky projekt u aprovua nga Dr. Sali Berisha, ambasadori Januçi, qeveria shqiptare dhe ajo italiane. Sot Dr. Thereska dhe një staf të specializuar mjekësh arritën të lulëzojnë mjekësinë shqiptare, duke e futur në radhët e mjekësisë europiane.
Zoti Thereska u shpreh se shpreson që të nisin edhe transplantet e organeve të ndryshme edhe në Shqipëri, pasi kemi ekipe të talentuara mjekësh dhe qeveria shqiptare investon për përmirësimin e mjekësisë.
Ai kujtoi disa nga momentet e tij më të vështira gjatë karrierës së tij si mjek nefrolog. Në mungesë të dializës, me qindra e mijëra pacientët që kishin nevojë për të vdisnin.
Përballja me dhimbjen fizike dhe shpirtërore të të gjithë pacientëve të tij e kanë bërë Dr. Thereskën më të fortë dhe më fetar. Ëndrra e tij është të zgjerojë dializën dhe transplantin edhe në qytete të tjera.
Ai u shpreh me lot në sy: “Dua që ato që ndjeva unë në momente të veçanta të mos i ndjejë njeri sepse janë plagë që zejnë kore, por në brendësi herë pas here lëshojnë klithma të vogla”.
Sëmundjet si hipertensioni, diabeti, obeziteti etj kanë bërë që targeti kryesor të jetë veshka. Këto sëmundje mund të kurohen deri në momentin që nuk e kanë prekur veshkën.
Gjatë viteve ’93-’97 Nestor Thereska ka qenë rektor i Fakultetit të Mjekësisë, si dhe pedagog. Studentët e asaj kohe e ruanin më shumë etikën, ndërsa brezi i ri Ai u shpreh se 80% e mjekëve në spitalet e Shqipërisë janë femra, pasi ato janë më të ndjeshme dhe më të përgjegjshme.
Nestor Thereska rrëfeu gjithashtu jetën e tij familjare. Ai mes lotësh u shpreh se bashkëshortja e tij e ndjerë e ka mbështetur gjithmonë në profesionin e tij dhe ka qenë shtysa e tij për të punuar sa më shumë. Ajo ishte një arsimtare, amvisë dhe nënë e shkëlqyer, e cila ka sakrifikuar shumë për familjen e saj. Ai ndjehet krenare që e kishte bashkëshorte, pasi të gjithë e respektonin dhe e donin. Darieli me profesion kirurg, ndërsa Arbri stomatolog janë dy djemtë e tyre./tvklan.al