Vite më parë, ai ishte një nxënës i notës 5 që nuk e ngrinte dorën gjatë mësimit, ndërsa sot ka fituar çmimin e dytë për gazetarinë investigative nga Bashkimi Europian, është zgjedhur si “Reporteri i vitit” dhe ngre kauza të rëndësishme.
Bëhet fjalë për Osman Stafën, gazetarin e njohur që sot ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë historinë se si ia doli që të ndiqte profesionin me të cilin e njohim sot. Rrëfimin e tij në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ai e nis duke u kthyer në bankat e shkollës filore, kohë kur nga një nxënës shumë i mirë, krejt papritur në klasë të pestë pëson një rënie të thellë në mësime që do ta ndryshonte një mësues i ri.
Osman Stafa: Në shkollën tonë vjen një mësues i Histori-Gjeografisë, Genci Gjevori dhe këtu nisi ndryshimi i asaj rrugës që unë kisha marrë ose të dal nga ai rrethimi që unë e kisha futur veten, nxënës jo i mirë, pra nxënës që ishte thjesht për të kaluar. Nisi nga Historia. Profesori kishte një metodë të veçantë për të shpjeguar mësimin në klasë, kishte një formë të bukur të të thënit gjërat paçka se e kishte filluar shkollën e tij 36 vjeç për shkak se ka qenë i persekutuar në kohën e komunizmit dhe 40 e më tej ai ka filluar të jetë mësimdhënës. Profesori nuk na bënte një lloj mësimi të të mësuarit përmendësh, ai tradicionali që ti do të vish në klasë, do të thuash mësimin dhe në fund fare s’mban mend asgjë se e ke mësuar përmendësh, por kishte metodën e tij që gjërat t’i mësonim në mënyrë kronologjike dhe 2-3 gjëra për mësim më të rëndësishme që ai na i pyeste në mënyrë të përhershme dhe ishin gjëra që edhe sot e kësaj dite unë ato gjërat e historisë, Shqipërisë, vendit tim i kam prej tij. Për t’iu rikthyer momentit kur unë fillova ta cilësoja veten te nxënësit e mirë, profesori në klasën e gjashtë na jepte Histori dhe në fillimet fare, vetëm një “shumë mirë”, “shkëlqyer” sesi e the, ishin një lloj shtyse mjaft e madhe tek ajo brendia ime që gjithmonë e kisha cilësuar veten që ti mund të japësh më shumë, ishte një ndihmesë që mua më çoi drejt idesë që shiko se ti mund t’ia dalësh edhe te lëndët e tjera. Në këtë formë, profesor Genci nisi që jo vetëm mua, por gjithë klasës që ishim, filloi të nxiste një lloj elementi komplet ndryshe të të pyeturit dhe të përgjigjurit që ai e vlerësonte.
Kjo i ra në sy edhe mësuesve të tjerë që vinin re ndryshimin e Osmanit në lëndët e profesor Gencit, ndërsa ky i fundit u kërkonte që t’i jepnin një mundësi për të treguar veten. Profesori ishte ai që kuptoi se cila ishte prirja e vërtetë e nxënësit të tij që më vonë edhe u reflektua në jetën e gazetarit.
Osman Stafa: Filloi që profesori moment pas momenti na jepte mundësinë saqë unë isha bërë më i miri i klasës, tani profesori do të vijë pak më vonë ndoshta, nëse ka pranuar ftesën do ta konfirmojë këtë, por në momentin që unë thosha mësimin thoshte “ti do bëhesh gazetar”.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Osman Stafa: Ka qenë momenti i parë që unë kam mësuar sepse po t’i pyesje të gjithë të klasës time thoshin “do bëhem doktor”, kjo na ishte thënë nga familjarët, “do bëhemi doktor, doktor”, ndërkohë unë për herë të parë nisa të ushqeja veten time si gazetar sepse po më pëlqente. Nëse deri në klasë të gjashtë unë isha në shtëpinë time bashkë me vëllain që në orën 07:30 kur ishin lajmet ne luftonim për të parë Gokun se në atë orë ishte edhe Goku, pjesa tjetër e familjes ishte për lajmet, unë kalova te lajmet dhe hyra në sherr edhe me vëllain, por e kam kaluar atë. Fillova ta projektoja veten time si një gazetar duke parë atëherë gazetarët e kohës, raportimet, fillova të ndiqja politikën shumë sepse po më ngacmonte si fushë./tvklan.al