Në këtë takim me “Blue”, moderatori Bledi Strakosha interviston baletmaestron Rexhep Çeliku.
Me një karrierë tashmë gjysmë shekullore, mjeshtër Çeliku tregon se si nisi rastësisht në moshën 14-vjeçare angazhimin me kërcimin. Pasionet e tij të para në fakt kanë qenë futbolli, ku për shumë kohë u angazhua me të rinjtë e ekipit Dinamo, por po aq edhe atletika, ku shkëlqente në disa disiplina.
Pas përfundimit të klasës së 8-të, për shkak të kushteve të vështira financiare të familjes së tij, iu desh të punojë në ndërtim. Fati deshi që punën e parë ta kishte pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku rastësisht e vë re profesor Panajot Kanaçi, i cili me largpamësinë e tij, pa te ky djalë fare i ri një talent të ardhshëm. Iu desh gjithsesi të këmbëngulte, pas 14 vjeçari Çeliku e kishte mendjen te sporti dhe jo tek arti.
Për dy vite Rexhep Çeliku merr pjesë në një kurs intensiv me profesorët më të mirë të kohës për t’u bërë vallëtar, dhe ia doli. Angazhimet e tij të para kanë qenë në Ansamblin e Ushtrisë, e më tej në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, në të cilin ka qenë i angazhuar për shumë dekada, me plot përfaqësime dhe suksese si në Shqipëri dhe jashtë saj, duke fituar madje edhe shumë tituj kombëtar e ndërkombëtar.
Në këtë intërvistë ai rrëfen shkëlqimin e ansamblit përpara viteve 1990, por edhe tkurrjen e këtij institucioni në vitet e demokracisë. Për shumë vite radhazi partnerja e tij në skenë ka qenë Lili Cingu, deri në vitin 1997 kur ajo doli në pension. Sëbashku kanë interpretuar dhe krijuar disa nga pjesët më të bukura të valleve epike e lirike, që përfaqësojnë të gjitha trevat shqiptare.
Si rrallëherë, z. Çeliku flet me sinqeritet edhe për fëmijërinë e tij, por gjithashtu edhe për njohjen me bashkëshorten dhe për dy vajzat e tij Imelda dhe Megi./tvklan.al