Ishte e vështirë bindja për t’a sjellë në emision, por Besnik Mustafaj arriti të vijë dhe të flasë çdo gjë rreth jetës së tij, sidomos asaj profesionale. Ai ka një karrerë të gjatë si shkrimtar me 15 libra të botuar jo vetëm në vendin tonë, por dhe në gjuhët kryesore të Europës. Gjithashtu është mjaft i njohur dhe në fushën e politikës me angazhimet e tij në Partinë Demokratike. Por, këto nuk janë të vetmet punë që ai ka bërë. Ka qenë mësues, gazetar, kryeredaktor, përkthyes dhe së fundmi deputet.

Rrëfimin nga fëmijëra e nis me qytetin e lindjes, Bajram Currin nga ku mori dhe formimin e tij të parë. “Vij nga një familje që do e quaja “bashkimi i të kundërtave”. Babai im ishte drejtor banke, mamaja e papunë dhe e pashkollë. Jetonim në qytet, por në shtëpi kishim lopë dhe dele. Ishim në mes të qytetit, por njëkohësisht në mes të fshatit. Por, e kujtoj si fëmijëri të bukur.”/tvklan.al