Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime” në TV Klan ishte moderatori i njohur i programeve të ndryshme televizive, Bledi Strakosha.
Ai u shpreh se këtë periudhë është kujdesur më shumë për shtëpinë dhe po njeh shtëpinë dhe gjërat që i kishte harruar rreth saj.
Por gjithashtu po njeh edhe veten, edhe pse i pëlqen të kalojë kohë me veten, këtë periudhë për herë të parë po ndjen disi vetminë.
Bledi Strakosha: Punët e shtëpisë nuk mbarojnë ndonjëherë, se më duhet dhe të laj dhe të shpëlaj.
Mirela Milori: I bën vetë këto?
Bledi Strakosha: Po sigurisht, se nuk është koha për të ftuar njeri, por përgjithësisht i bëj vetë nuk e kam problem.
Mirela Milori: Nuk të ka sikletosur këto kohë që duhet të merresh më shtëpinë, ta mbash nga fillimi në fund?
Bledi Strakosha: Jo por jam bërë pak maniak, edhe nëse shoh një kokrrizë të vogël pluhuri, unë marr direkt leckën ta pastroj se është dhe kjo frika e higjienës që duhet të jetë maksimale. Por po e shijoj, po zbuloj ca gjëra në shtëpi, se e kam të vogël po shumë të ngarkuar dhe shumë gjëra i kisha harruar, nuk i kisha hedhur as sytë.
Mirela Milori: Po njeh shtëpinë në këtë rast?
Bledi Strakosha: Shtëpinë dhe veten, megjithëse unë kam marrëdhënie shumë të mirë me veten dhe vetminë. E njoh mjaftueshëm dhe më pëlqen të ndaj kohë me veten. Por për hir të së vërtetës, vetminë po e ndjej pak këto kohë sepse shtëpia ime është gjithmonë plot me njerëz, qoftë me të afërm, qoftë miq dhe këto kohë nuk kam ftuar askënd dhe të themi në prag të këtij 42-vjetori, unë po ndjej për herë të parë në jetën time disi vetminë./tvklan.al